Korça, një nga qendrat më të mëdha urbane të Shqipërisë. Në bulevardin kryesor në pranverë, do të kënaqeni me aromën e veçantë të blijve, ndërsa në dimër, është kënaqësi të ecësh nën kurorën e pemëve të mbuluara me dëborë.
Në vitin 1887 në Korçë u hap e para shkollë shqipe. Në periudhën e Luftës së Parë Botërore qyteti u pushtua nga francezët dhe në këtë kohë u shpall “Krahina Autonome e Korçës”. Në vitin 1917 në këtë qytet u hap Liceu Francez, një nga shkollat më të përmendu-ra në Shqipëri. Ajo që të bën përshtypje është arkitektura e veçantë, me shtëpitë tip vilash, rrethuar me kangjella dhe oborre të mbushura me lule të shumëllojshme.
Veçanërisht mbresëlënëse do të jetë për ju zona midis bulevardit “Republika” dhe “Shën Gjergji”. Në këtë zonë ndodhet “Muzeu i Artit Mesjetar”. ”Muzeu Prehistorik” i vendosur në dy banesa karakteristike korçare do t’iu ofrojë 1200 objekte, të cilat përfaqësojnë gërmime arkeologjike nga periudha prehistorike, periudha helene, romake dhe bizantine e hershme. Me inte-res të veçantë është shtëpia muze e mjeshtrit të peisazhit Vangjush Mio, si dhe Muzeu i Koleksionit Bratko, i çelur në vitin 2003 me vepra të artit oriental të vendeve të Lindjes së Largme.
Objekte të tjera me interes janë: pazari i Korçës (shek. XIX dhe fillimi i shek. XX), xhamia e Iliaz Bej Mirahorit viti 1484 (momumenti më i vjetër i qytetit), Katedralja e Ngjalljes së Krishtit (ndër më të mëdhatë në Ballkan), kishën e Shën Ilias nga ku mund të shihni nga lart qytetitn etj. Në tavernat e qytetit do të gjeni një shije gatimi që nuk e keni provuar më parë. Mund të provoni shumë gjëra, por mos lini pa shijuar lakrorin me qepë e domate. Gjithashtu mos rrini pa provuar tavën e korminës.
Korça është e njohur për këngët e saj karakteristike, të quajtura “serenata” të cilat shoqërohen me kitara. Korça është qyteti i karnavaleve. Ato zhvillohen në prag të Pashkëve Orthodokse dhe ceremonia e tyre është më madhja dhe më e bukura në Shqipëri.