Apolonia ndodhet 12 km larg qytetit të Fierit. Ajo u themelua në fillim të shekullit të VII-të p.e.s. nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 p.e.s. Qyteti e mori emrin për nder të perëndisë Apolon.
Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë).
Qyteti ka pasur rreth 60.000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin! Ai e ruajti madhështinë e tij edhe në periudhën romake. Oktavian Augusti studioi aty oratori. Territori i madh i mbuluar me monumente, peisazhet e mrekullueshme të fushës së Myzeqesë, deti Adriatik nga njëra ana dhe plazhet e jugut nga ana tjetër, e bëjnë parkun arkeologjik Apolonia lehtësisht të arritshëm për vizitorët dhe një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri.