Në Përmet do të shijoni mikpritjen, gjelbërimin dhe atmosferën e një qyteti të qetë. Gjatë verës, në Përmet do të gjeni plazhe të shumtë, në pellgje të formuara si xhepa në brigjet e Vjosës. Në restorantet brenda dhe jashtë qytetit, do të gjeni një kuzhinë tepër të veçantë dhe një shërbim mbresëlënës. Veç gatimeve karakteristike të zarzavateve, për të cilat Përmeti është aq i përmendur, do të provoni ingjinarin e gatuar me vaj ulliri, mishin e gjahut, thëllëzën e malit mbushur me përshesh, derrin e egër, lepurin e egër, peshkun e shijshëm të Vjosës, etj. Gjithashtu do të shijoni verën (Kabërnet, Merlot, etj), rakinë e famshme tradicionale, si dhe glikotë e mrekullueshme me të gjitha llojet e frutave.
Përmeti, qyteti i luleve, trën-dafilave, këngëve të pashoqe, pastërtisë dhe qetësisë, (i njohur në antikitet me emrin “Tryfilia”, i banuar nga fise Ilire), njihet si qendër administrative që në shek. XV. Pazaret e tij të shumta dhe të pasura vizitoheshin nga shumë vende të tjera ballkanike. Sot ju ftojmë të vizitoni “Gurin e Qytetit”, një masiv shkëmbor monumental befasues, që natyra i’a ka dhuruar bujarisht qytetit, për ta bërë atë krejt të veçantë. Duke vizituar kishat, veçojmë kishën e Leusës (shek. XVIII), e cila shquhet për ikonostasin, afreskat, si dhe kishën e Shën Marisë në Kosinë (shek.XII).
Përmeti është vendlindja e shumë artistëve të mëdhenj të panteonit shqi-ptar si e vëllezërve Frashëri dhe e shumë personaliteteve të tjerë të shquar të politikës, shkencës, letrave, muzikës dhe arteve figurative, që kanë vënë themelet e kombit shqiptar. Me që jemi në panteonin shqiptar, mos humbni rastin pa u ngjitur në Frashërin malor, rreth 30 km larg qytetit. Rrugës për në fshatin malor Frashër, ju do të kaloni mes për mes Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës, një panoramë e papërsëritshme midis bredhave dhe pishave të panu-mërta. Këtu ofrohen mundësi për ecje në natyrë, kamping, etj.
Lokalitete të tjera atraktive janë ujërat termale të Bënjës dhe luginës së Lengaricës që është vetëm 3 km larg qytetit. Përmeti ka gjashtë burime natyrore të hapura”outdoor”, të cilat janë kurativë për sëmundje të ndryshme. Temperatura e ujrave është 26-32 gradë C dhe këto të fundit kanë veti kurative në trajtimin e stomakut, lëkurës dhe reumatizmës. Këto ujëra burojnë nga kanionet e bukura të “Dy urave” që i përkasin kohës së Ali Pashë Tepelenës: Ura e Kaikut dhe ajo e Dashit. Teksa largohesh nga Përmeti, rruga të çon drejt kufirit grek, i cili ndodhet vetëm 30 km nga qyteti dhe drejt Leskovikut të famshëm që shquhet për ujërat termalë të Vronomeros dhe banjat e avullit të Postenanit.
Gjatë verës mund të ndiqni një garë të përvitshme kanotazhi, ku lundërtarët nisen që nga Greqia fqinje, buzë maleve të Pindit nga nis rrjedhën Vjosa dhe priten me ceremoni në Përmet. Ky ritual i përvitshëm, përsëritet edhe për dy veprimtari të tjera siç janë: “Festivali Ndërkombëtar Multikulturor”, i cili zhvillohet në qershor dhe “Dita e verërave” që zhvillohet në muajin maj. Gjatë këtij muaji zhvillohet edhe një takim kombëtar kushtuar figurave të shquara që kanë lindur në Frashër.