Në qytetin e Pogradecit ju do të hyni nga rruga nacionale, e cila kryqëzohet në Majën e Qafë Thanës me rrugën që vjen nga pika kufitare me të njëjtin emër, nga Maqedonia. Ju rekomandojmë që pikë-risht ku kryqëzohen këto dy rrugë të mos harroni të keni me vete aparatin fotografik për të fiksuar një pamje të rrallë: Liqenin e Ohrit, një perlë e vërtetë. Pak metra më poshtë, ndaloni në gadishu-llin e Linit dhe në fshatin me të njëjtin emër, 25 km larg Pogradecit. Thuhet se në anti-kitet prindërit e perandorit Justinian e kishin Linin vendin më të pëlqyer për të pushuar.
Veç pamjes magjike, këtu mund të vizitoni mozaikun në Bazilikën e Linit mbi kodër, i cili daton në shek. VI-VII p.e.s. dhe shquhet për dekoracion të larmishëm zoomorf, floreal dhe gjeometrik. Ai ka ngjashmëri me mozaikët e Durrësit të lashtë. Rrugës për në Pogradec kalon pranë bregut të liqenit të Ohrit, i cili me origjinën e tij tektonike dhe me thellësinë që arrin deri në 285m, është më i thelli në Ballkan. Liqeni me moshë dymilion vjeçare, i cili për vlerat e tij unikale është shpallur pasuri e UNESCO, ruan në gjirin e tij 17 lloje peshqish nga të cilët 70% janë endemikë dhe 30% lloje butakësh, ku veçohet sfungjeri i Ohrit, i cili gjendet edhe në liqenin e Bajkalit.
Buzë liqenit do të gjeni shumë restorante, bare dhe hotele komode. Shijoni peshkun dhe mënyrën e gatimit të tij tradicional dhe pikërisht tavën e famshme të Koranit, turshitë dhe ”kollofacja”. Gjithashtu do të gjeni shumë lloje verërash, në veçanti verën tradicionale dhe unikale të butit, rakinë e famshme “perla” dhe “muskat” të Pogradecit.
Në këtë qytet, të banuar prej periudhës së neolitit dhe më pas nga fiset Ilire të Enkelejve dhe Desaretëve, (që kanë vënë zanafillën e qytetit me kalanë e Pogradecit, në një kodër 870 m. mbi nivelin e detit), mund të vini në çdo stinë të vitit, pasi ka një klimë të mrekullueshme. Mos u largoni nga Pogradeci pa vizituar Drilonin dhe Tushemishtin, 5 km në jug të qytetit. Ujrat që dalin nga burimet e Drilonit, formojnë një liqen tjetër të vogël. Përreth ka gjelbërim krejt të veçantë që e bën këtë vend bashkë me fshatin piktoresk të Tushemishtit, një oaz të papërsëritshëm qetësie dhe pushimi. Ju mund të preheni të lumtur në këtë park të këndshëm.